Konfigurimi i automatizuar i Google Cloud
Përmbledhja
Outline Manager përfshin një veçori që të lejon të konfigurosh automatikisht serverin e Outline në një server që ekzekutohet në Google Cloud. Nëse zgjedh të përdorësh këtë veçori, Outline Manager do të të kërkojë të identifikohesh me "Llogarinë tënde të Google", e cila do të japë leje të caktuara të OAuth për instalimin tënd lokal të Outline Manager për qëllimet e konfigurimit të llogarisë sate të Google Cloud.
Nëse nuk dëshiron t'i japësh këto leje, mund të ndjekësh udhëzimet për konfigurimin e përparuar në Outline Manager për ta ekzekutuar Outline në Google Cloud Platform.
Lejet e dhëna
Për të ofruar konfigurimin e automatizuar, Outline Manager kërkon lejet e mëposhtme nga "Llogaria jote e Google".
Google Cloud Platform
- Të shikojë dhe të menaxhojë burimet e tua të Google Compute Engine
- Të shikojë të dhënat e tua në shërbimet e Google Cloud dhe të shikojë adresën e email-it të "Llogarisë sate të Google"
Informacionet bazë të llogarisë
- Të shikojë adresën tënde kryesore të email-it të "Llogarisë së Google"
- Të të lidhë ty me informacionet e tua personale në Google
Qasja shtesë
- Të menaxhojë projektet e tua të Cloud Platform
- Të shikojë dhe të menaxhojë llogaritë e tua të faturimit të Google Cloud Platform
- Të menaxhojë konfigurimin e shërbimit të API-së së Google
Këto leje na lejojnë të mbështesim funksionalitete të përparuara për menaxhimin e serverëve të tu të Outline, duke përfshirë:
- Të lejojmë që të zgjedhësh llogarinë e saktë të faturimit
- Të krijosh një projekt të ri për të organizuar serverët e tu të Outline
- Të listosh qendrat e disponueshme të të dhënave
- Të krijosh pajisje të reja virtuale për ekzekutimin e Outline
- Të konfigurosh pajisjen e re virtuale me Outline
Revokimi i lejeve
Mund ta revokosh qasjen te Google Cloud Platform për Outline Manager duke vizituar Llogaria ime. Nëse e revokon qasjen, çdo server që ke krijuar me konfigurimin e automatizuar do të vazhdojë të ekzekutohet, por nuk do të shfaqet më në Outline Manager. Për të restauruar qasjen tek ato, thjesht rilidhe Google Cloud Platform duke nisur rrjedhën e konfigurimit të automatizuar.
Organizimi i projektit të Outline
Konfigurimi i automatizuar i Google Cloud përdor një projekt të vetëm të Google Cloud për të organizuar serverët e tu të Outline. Projekti krijohet gjatë përdorimit të parë të konfigurimit të automatizuar me një ID të sugjeruar projekti që fillon me “Outline-” të ndjekur nga një varg karakteresh të rastësishme. Mund të zgjedhësh një ID tjetër projekti në momentin e krijimit nëse preferon. Projekti do të emërtohet si “Serverët e Outline”.
Llogaria e faturimit
Projektet e Google Cloud kërkojnë një "llogari të lidhur faturimi" që përcakton informacionet e pagesës. Kur përdor për herë të parë konfigurimin e automatizuar të Google Cloud, do të të kërkohet të japësh një llogari faturimi për ta lidhur me serverët e tu të Outline. Ndonjëherë, një server do të ndalojë së funksionuari sepse ka një problem me llogarinë e faturimit. Në këtë rast, duhet të identifikohesh në Google Cloud Console, të lokalizosh projektin e Google Cloud të lidhur me Outline (me emrin “Serverët e Outline”) dhe të përditësosh cilësimet e faturimit.
Shkatërrimi i serverëve
Nëse dëshiron të shkatërrosh serverët e krijuar duke përdorur konfigurimin e automatizuar, mënyra më e lehtë është ta bësh këtë nga brenda në Outline Manager. Sidoqoftë, nëse dëshiron t'i shkatërrosh vetë serverët, mund të identifikohesh në Google Cloud Console, të gjesh projektin që është krijuar gjatë konfigurimit fillestar (me emrin “Serverët e Outline”) dhe t'i fshish burimet aty ose ta mbyllësh projektin.